Zanati
i përkthimit është judesk par excellence, dhe shprehja
traduttore-traditore veç lojë fjalësh që s'është. Ka përkthime
(të tipit rifreskime) që duke kujtuar se po shpalosin shumë
gjetje, e vyshkin natyrën e veprës dhe ia afrojnë artificialisht
afatin e skadimit. Janë përkthime që vetëskartohen.
Kur
botohet një vepër (Testamentet e tradhtuara, M. Kundera, B. Gjini,
bot. Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2011) që e ke pasë nëpër duar
edhe vetë, me të cilën ke nda' orë të lume pa gjumë, e “do
ditë andrrimesh me sy hapë” e veç tjerash e ke çuar në
‘cenacolo’ të miqve si libër logu, e për më tepër i
kushtohet prijësit të letrave moderne doktor Kafkas, kurioziteti
për krahasim mes variantit tënd të pambaruar që fle në terrin e
sirtarit dhe variantin fatlum që gëzon dritën e botimit është i
papërmbajtshëm dhe legjitim.
Paraprakisht
dijmë se përzgjedhjet e B. Gjinit përkthyes janë ndërmes më
cinikëve dhe më aristokratëve të letrave perëndimore: mjeshtri i
mendimit Cioran, rabëlezjani Hrabal, snobi Baudrillard... Por
pavarësisht se këta janë autorë celebralë, ai i pajis në shqip
me leksema bio, ku shpesh vjen era kooperativë socialiste, ose
realizëm socialist me lumturi të detyrueshme. Nuk është vendi ta
numërojmë këtu leksikun blegtoral që ai iu mvesh autorëve. Por
ju siguroj se ky freskim i plak menjëherë përkthimet e tij, ose i
uthullon, pasi nuk i jep efektin e thantimit që koha i jep venës së
mirë p.sh., por vetëm atë të thartimit. Marrim një rast
kërcitës. Gjini përpiqet në veprën e Baudrillard-it (Amerika,
bot. Zenit) ta ngjisë “lapërdhinë” në kategori estetike. Në
të vetën Baudrillard-i po flet për ob-scene, jo për larpëdhi.
Por
le t'i kthehemi Testamenteve.
Ngaqë
nuk mund ta kapim për çdo fjali, as nuk do mund ta pasqyronim në
format mediatik këtë kapje, do ta fotografojmë (me lejen dhe
durimin e lexuesit) këtë përkthim në fillim në mes dhe në fund.
Na ndihmon fakti se ne e kishim përkthyer edhe vetë dikur këtë
libër, pavarësisht se e lamë të pakorrigjuar, meqë na siguruan
se Balili e kishte kryer këtë qysh në 93shin, bash vitin kur e
nxori Gallimard.
Libri
fillon me romanin me namë të Rabelais. Në shqipen e Gjinit na vjen
kështu:
“Qysh
në fazat e fillimta libri i hap kartat: kjo që rrëfehet këtu nuk
është serioze [...]”
Varianti
im është më shqip: “Qysh prej fjalive të para libri loz me
letra të hapura: ajo çka po tregohet nuk është e njëmendtë
[...]”
Në
radhë të parë, mbiemri “i, e fillimtë” s’na duhet. Në
shqip me temën “fillim” kemi mbiemrat “fillestar” dhe
“fillimor” që mjaftojnë. Në radhë të dytë neologjizmi
formohet duke përdorë një mbaresë që ka konotacion tjetër. Tek
“i, e qëllimtë”, mbaresa –të, është gjegjëse dhe
mëkëmbëse e mbaresës –shëm, pra “i,e qëllimtë, i,e
qëllimshëm”, pra sipas logjikës fjalëformuese të Gjinit, mbas
“i, e fillimtë” do kishim “i, e fillimshëm”. Çka është
kakofonike (tingullkeqe) dhe e shëmtuar (kakologjike). “Fjalitë e
para”, do ishte shkurt e shqip. Mandej në vend të “kartat”
duhet “letrat”, ne nuk lozim me karta, por me letra.
Kurse
fjala “serioze” duhet shqipëruar sipas nuancës ose ngjyresës,
pra ashtu siç e kam pasë dhënë unë në përkthimin e pabotuar:
“e njëmendtë”.
Shembull:
ajo që i ndodh Gregor Samsës është shumë serioze (madje është
tmerrësisht e rëndë), por nuk është e njëmendtë, është
jashtë njëmendësisë. “Serioze” në gjuhët latine ka këtë
sfumaturë ose ngjyresë kryesore, pra “e njëmendtë”. Kurse në
shqip, një gjë që nuk është “serioze” mund të jetë një
tallje. Por tek Metamorfoza që morëm shembull, nuk kemi tallje me
lexuesin. Serioz është mbiemër karakterizues: një njeri serioz,
një profesionit serioz, etj. Nëse thua, kjo që po ndodh këtu nuk
është serioze, do të thotë, në shqip: 1. se ajo nuk është e
denjë, 2. se ajo nuk duhet marrë seriozisht.
Më
poshtë, po në faqen e parë, kemi:
«Aty
është gjithçka: “e vërteta dhe e pavërteta”, alegoria,
satira, gjigandët dhe njerëzit normalë [...].
“Vraisemblable”
dhe “invraisemblable” e përkthen si “e vërteta” dhe “e
pavërteta”».
Ndërkohë
që e ngjara dhe e patëngjara, ose e gjasshmja dhe e pagjasshmja
janë gjegjëset e përsosura në shqip të këtyre fjalëve.
Ndërkohë fjalën gege ‘e pagjasshme’, përkthyesi më poshtë e
përdor, por ku nuk ka rëndësinë kategorizuese që ka më sipër.
Gjini
shqipëron aty ku s’duhet dhe nuk shqipëron ku duhet.
Vijon
libri:
«[...]
S. Rushdie, në Vargjet
satanike, bën që dy heronjtë e
tij, pas shpërthimit të një avioni, të bien duke llomotitur, duke
kënduar, duke u sjellë në mënyrë komike dhe të pagjasshme.
Ndërsa “përsipër, mbrapa, poshtë,
në zbrazëtirë”, fluturojnë karrige me shpinore të fushkëta,
gota prej kartoni, maska për oksigjen dhe pasagjerë, njëri
Gibraeel Farishta, “noton” në ajër me krahë fluture, me stil
bretkosë, mbështillet si lëmsh, shtrin krahët e dhe këmbët në
pafundësinë e këtij të quajturi agshol...»
Kurse,
përkthimi im: [Teksa «nga sipër, nga prapa,
nga poshtë tyre vareshin në atë boshllëk» sedilje të
përkulshme, gota letre, maska oksigjeni dhe pasagjerë, njëri prej
tyre, Xhebrail Farishta, notonte «në ajër, krol, bretkosë, dhe
kruspullosej si një top, dhe prapë hapte këmbë e krahë mbi
gruntin gati të pafundëm të pragzbardhjes».]
Balili
e bën të pagjasë jo vetëm rënien rushdiane ku personazhet ia
shtrojnë me muhabet, por edhe avionin. Vetëm në avionat me të
cilët ka fluturuar B. gjatë përkthimit, në vend të (sièges à
dossier inclinable) “sediljeve të përkulshme”, kemi “karrige
me shpinore të fushkëta”. Pra në vend të një avioni të Indian
AirLines, kemi një tonin të Lazarati Airlines, ku
piloti-shkrimtar na tymoska barin magjik, dhe në vend të sediljeve
të përkulshme shifka “karrige me shpinore të fushkëta”...
Notin krol, B. Gj. e jep fjalë për fjalë si “not me krah
fluture”... Kurse shprehja ‘në pafundësinë e këtij të
quajturi agshol’ për të thënë se e gjitha po ndodh mbi sfondin
ose gruntin e zbardhjes së ditës, na dëshmon se përkthyesi tashmë
është ‘bërë dru’. Kundera, i cili s’ka gisht në këtë
mes, duke cituar përkthimin frëng të Rushdisë, thotë: «dans la
quasi-infinité de cette quasi-aube». Emrin e
personazhit B. e lë Gibraeel, kur fare mirë mund ta shqiptojë
Xhebrail, ose Xhibrail simbas dy trajtave shqipe të variantit
musliman t’emrit të krye-engjëllit Gabriel.
U
morëm me tre paragrafët nistorë. Dhe pamë sa me këmbë të
mbarë ia ka nisur përkthyesi i specializuar.
Nuk
jam hipermodernist, përkundrazi. Modernët e vërtetë, siç
janë vazhduesit e Rimbaud-së, çka thuhet edhe në Testamentet,
janë antimodernistë. E ndjej që njëfarë nastradinizmi në
përkthim, mund të hahet ende si tek ‘Don Kishoti, pjesa I’ i
Nolit, ashtu dhe tek Dostojevski i Doksanit, të cilit Dostojevsk
s’ka pse t’i vijë era Firence, se në fund të fundit po flet
për moçalin e reales, dhe i shkon një gjuhë xoxjane prej ‘lumi
të vdekur’.
Por
as Kundera eseist, as Ciorani filozof, nuk mund të përkthehen
nastradinçe, apo me regjistrin e ‘lumit të vdekur’. Nuk ua mban
estetika. Aq më tepër, kur kujton se arnat që iu vë, mbi kostumet
e reja origjinale, janë sofistikim. Përkthyesit si Gjini, janë në
mirëbesim, dhe kujtojnë se këto arna mund të vendosën edhe mbi
xhaketën e re prej cohe të mirë, për t’iu mbrojtur bërrylat se
mos iu ‘hahen’, por e forta është se nuk mendojnë as t’i
qepin aty ku (edhe!?) mund ta kenë vendin, pra tek bërrylat dhe
kshtu iu qepin mëngët duke i bërë mëngë manece.
Ata
përkthyes që nuk e kanë takatin për të shqipëruar strukturën,
rrinë e shtojnë fjalë, në vend që t’i heqin. Në punë e tij
përkthimore, Gjini përdor rëndom fjalë si ‘kësmet’ në vend
të ‘short’ a ‘fat’, tek shkrimtarët bashkëkohës. Ndërkohë
që fare mirë, mund ta përdorte kësmetin tek një Hygo (që me
raste e përdorte edhe vetë këtë turqizëm) a ndoj klasik tjetër,
për t’i vendosur edhe në kohë edhe në hapësirë. Përse nuk
përkthejnë shkrimtarë të Tetëqindës, kur ua kande aq shumë
këtë leksik? Mbase, ngase duan të bëjnë si modernë?...
Po
si mund ta pranojmë që aty ku një akademik i mërzitshëm si
Baudrillard flet për një kategori filozofike, neve ia përkthjemë
atë si ‘lapërdhi’? A nuk është ky një përkthim lapërdhar?
E
gjithë kjo mënyrë përkthimi ku për-zihet shkolla e vjetër ‘e
shqipërimit’ ose qethjes me stilin e pranuar nga ‘agjitpropi’,
rezulton në një arnim grotesk e cigan, por pa muzikalitetin e
ciganizmit të vërtetë.
Përpos
kësaj, nevojat e një shkolle të re përkthimi, janë sot një
urgjencë kombëtare. Edhe në rastet më të mira jemi akoma brenda
nolizmit, ose nevojës për t’i kthyer veprat e ‘Evropit’ në
dimensionet e fshatit-komb, ku e vetmja licencë është ajo e
sforcimit, ose e shartimit të logotipit vendas, por me frikë
strukturore jo veç nga ajo që vjen jo veç nga jashtë, por edhe
nga brenda! Frikë nga mendimi: mizozofi!
Shohim
tani kapitullin kunderian mbi Kafkën sipas Brodit. Pra kapitullin më
në spikamë të temës së tradhtimit të testamentit.
Gjini
përkthen kështu: “Kësisoj ne nuk habitemi që Brodi, adhurues
i romantikës femërore, për të cilin pallimi nuk ishte
realitet, por “simbol i ndjenjës”, nuk kishte mundur të
përshquante asgjë të vërtetë tek Brunelda, zaten as hijen e
një përvoje reale, por vetëm përshkrimin e “tmerreve
ndërshkuese, përcaktuar ndaj atyre që nuk ndjekin rrugën e
mbrothtë”.
Nga
file-i i përkthimit tim të 2007s, kopjoj:
«Nuk
duket e çuditshme pra që Brodi, adhurues romantik i grave,
për të cilin koito-ja nuk është një realitet por një
«simbol i ndjenjës», s’ka parë te Brunelda asgjë të
vërtetë, as hijen e një eksperience reale, por vetëm përshkrimin
e «ndëshkimeve të tmerrshme rezervuar atyre që s’ndjekin
udhën e drejtë».
Dhe
origjinali, që është më i thjeshtë se çdo përkthim:
“On
ne s’étonne pas que Brod, adorateur romantique des femmes, pour
qui le coït n’était pas réalité mais «symbole du sentiment»,
n’ait pu vir rien de vrai dans Brunelda, pas l’ombre d’une
expérience réelle, mais seulement la description des «horribles
punitions destinées à ceux qui ne suivent pas le bon chemin».”
Vini
re se “le coït” B. e jep me fjalë “pallimi” e sa keq
tingëllon kjo në këtë libër estetike, ku fill mbrapa flitet për
“simbolin e ndjenjës”... Koito nuk domethënë pallim, por edhe
po t'ishte ashtu, nuk duhej shqipëruar. “Udha e drejtë” për të
cilën flet çdo bibël a qitap, në asnjë libër fetar nuk rezulton
e përkthyer balilianisht si “rruga e mbrothtë”. Kundera e
përmend në kuadrin e kritikës së tij antireligjioze.
Sipas
B. prapë (faqja 273), tregimi i përsosur i Kafkës “Ein
hungerkuenstler” qenka Një kampion i agjërimit. Fjalia e
plotë në përkthim është: «Shkagimi nuk i përket
automatikisht gjithçkaje që s’ishte botuar, sepse përmes
veprave “të vlefshme” radhit edhe novelën Një
kampion i agjërimit, e cila, në çastin kur e shkroi
letrën, nuk ekzistonte veçse në dorëshkrim.»
Në
radhë të parë B. Gj. (që mbase bën gjoja), në
përkthimet e ardhshme, duhet të ketë parasysh se fjala frënge
‘parmi’, nuk do të thotë përmes(!) pavarësisht ngjashmërisë
grafike dhe fonetike. Ajo do të thotë ndërmjet, ose midis. Në
radhë të dytë “Artisti i urisë” nuk është novelë! Dhe nuk
titullohet Një kampion i agjërimit. Duhet me ia ripërkthye
lexuesit këtë fjali, duke i thënë se Kafka n'amanetin letrar që
i la Brodit, nuk dënoi me djegie çdo gjë që kishte shkruar, pasi
mes veprave të tij mund të ruhej tregimi Artisti i urisë... etj.
Titullin
e pjesës së nëntë të librit: “Là, vous n’êtes pas chez
vous, mon cher” (pra, po ta shqipëronim: Këtu nuk jeni në
shtëpinë tuaj, i nderuar), Gj. e përkthen: Atje s’jeni në
shtëpinë tuaj i dashur! D.m.th. fjalë për fjalë, dhe kujton se
là do të thotë atje, si në italisht. Në këtë
moment, Gj. vërteton padashje, se tek letërsia ai nuk është në
shtëpinë e vet dhe hyn, tek ajo pjesë shumë e rëndësishme e
komunitetit paraletrar që unë quaj: komshitë e letërsisë.
E
thënë mes nesh, ndër komshitë e letërsisë ky përkthyes është
shumë më në rregull se disa që bëjnë si të fortët e letërsisë
apo gjynahët e letërsisë, që ankohen e “ankimohen” për
gjendjen e letërsisë shqipe, ngase marrin vetëm nga shtatë rroga.
E duke qenë se ka gurnue edhe si guru i çmimeve letrare
kombëtare, meriton çmimin që ndajmë ne letrarët me vokacion:
komshi i letërsisë i katit të parë!
Kreu
ku fliten këto gjëra titullohet Rrugët në mjegull, por
lexuesi nuk i sheh këto rrugë, që falë këtij përkthimi bëhen
rrugë pa krye, dhe mjegullës i vjen era stallë.
Në
faqen 277 përkthyesi Gj. tregon se nuk e njeh fare Kafkën, kur
përkthen pjesën e fundit të Procesit. Ndërkohë
që shumë mirë mund të kishte kopjuar e ndrequr pak përkthimin e
Gj. Vlashit.
Sipas
Balilit, prej Kunderës thuhet: «Mendoj
për fundin e Procesi: të dy zotërinjtë janë përkulur
përmbi K. që po e therin: “Me sytë që po i erreshin, K. pa
përsëri, shumë pranë fytyrës, faqe më faqe, të dy zotërinjtë
tek kundronin përfundimin:
–
Si një qen! – tha K.; dhe ishte
sikur turpi e detyronte të mbijetonte”.»
Më
shumë se kaq nuk mund ta mbrapshtosh fundin e romanit më emblematik
të shekullit të XX. Dy dorasët janë bërë dy zotërinjtë.
Duke parë K. që po jep shpirt ata thjesht “kundrojnë
përfundimin”. Kurse marazi i K., se mos do t’i mbetej marrja
(turpi) mbrapa, jepet me shprehjen e pakuptimtë “ishte sikur turpi
e detyronte të mbijetonte”. Por në Weltanschauung shqiptar,
shqetësimin mos me na jetun mârre mbrapa e njohim mirë, dhe
e nxëmë në shtëpi e shkollë.
Ja
dhe i miri Gj. Vlashi, tek përkthimi i tij që prapë është shumë
më i pranueshëm:
– Si
një qen – tha K. dhe dukej sikur trupi do të mbijetonte edhe pas
tij.
(Gabimi
ortografik kthehet në gabim logjik dhe fjali përçudnohet krejt,
duke u dukur si me qenë marrë nga librat me zombie të Stephen
Kingut, ku “trupi” i mbijeton edhe vdekjes së të
zot’.) [Procesi, fq. 226, Globus R., Tiranë, 1997)
Ndërkohë,
anësore: Gj. shprehjen ‘gjë për tu çuditur, ose kërshëritëse’,
e jep: gjë kurioze (fq. 248), a thua se gjërat janë antropomorfike
dhe kanë kuriozitet si njeriu, apo macja, një kafshë me natyrë
kurioze. Luftërat napoleonike, i jep si napoleoniane. Të
pafajësueshmit, i jep si të pafajshmit (fq249) Dorasët e Procesit
janë gjithkund zotërinjtë.fq 224, fq 277 etj. Madje K.së i shkon
mendja të merrte një thikë dhe “ta ngafulte në trup” (fq.
224)
Kështu
“i ngaful” përkthyesi fjalët e veta nëpër librin e tjetrit.
Dhe – do të thonim sipas stilit të tij – e xhevahiros atë
përdasshëm .
Kur
iu flisja se po përktheja këtë libër në Tiranë më thoshin se
B. e ka përkthyer qysh në ‘93shin... sikur të kishte qenë i
pranishëm në seminarin e Kunderës dhe ta kishte incizuar live. Pra
ka pasë 20 vjet kohë me e korrigjue!! Dhe rezultati shihet.
Për
ta mbyllur analizën, do thonim edhe dy fjalë për veprën.
Rëndësia
e Testamenteve është aq qendrore në veprën e Kunderës, sa
ky libër mund të jetë pa frikë edhe testamenti i tij. Mund të
themi me siguri se përbën një suvenir për të gjithë dashnorët
e romanit. Nëse ky libër do të meritonte një titull tjetër, më
utopik, ky do t’ishte “Qyteti i romanit” ose “Për një qytet
të romanit”, në ‘falsariga’ të veprave utopike “Qyteti i
Zotit” apo “Qyteti i diellit”. Ciorani e ka quajtur qytetërimin
modern evropian “shoqëria e romanit”, dhe një libër si ky, ku
shpaloset thjesht, e pa jargavitje “shpirti i romanit” meritonte
një përkthim evropian. Mbas romanit, mjeshtri tjetër evropiane
është edhe përkthimi. Kur copyright-i i këtij botimi të skadojë,
pas pak vitesh, urojmë të hedhim në qarkullim përkthimin tjetër.
A, fundja, ta pranojnë konsulencën tonë falas për rieditimin e
tij. A fundja e fundit, kushdo që e citon këtë përkthim në
ndonjë punim doktorature, ta marrë me dorashka.