giovedì, aprile 14, 2011

Elozh pellazgologjisë

Pellazgologji (me konotacion folklorik) quajmë atë fenomen që elektrizoi në masë, në dhjetëvjetshin që lamë pas, jetën sedentare të mendjeve të klubosura që fluturuan mbi librat e dashamirëve të shqipes, ndër të cilët më i bujshmi qe Robert D'Angely. Kjo prirje lidhi shumë klientela, e bindshëm, duke i dhënë shumë lokaleve pa identitet, karakterin unitar të clubs.

Pavarësisht sa çabeistë jemi (e në shumë kuptime nuk jemi fare), prapë ndër këto libra, të paktën tek më të spikaturit si fancezi i lartpërmendur, apo arvanitasi A. Kola, italiani Catapano, a matjani Arif, njihet qartazi një përpjekje për shkencë, e shpesh herë një punë shkencore.

Veç tjerash, faktin se hyjnitë e Olimpit kishin emra shqip na e thonë edhe Rilindasit, shkurt e shqip. Por edhe ndonjë zyshë e pasionuar e filloreve tona na fliste për lashtësinë e shqipes, duke u munduar të na shpjegonte shumë fjalë që ne na tingëllonin të huaja, si fjalë me prejardhje shqipe. Thua se fjalët vijnë nga gjuha, e jo gjuha nga fjalët.

Por pellazgologjia që u bë modë tavolinash në vitet 2000, nuk ka thelbësisht lidhje me mtesat nacionaliste të rilindasve apo programeve shkollore të derisotshme. Në nivelin më parësor të saj (prandaj dhe i shkon ky lavd), ajo ka të bëjë me rizgjimin e sensit religjioz tek njeriu shqiptar i kësaj Shqipërie.

Jo më kot në trevat e tjera shqiptare (ku feja s'u ndalua ndonjëherë) nuk ka shpërthyer aq bindshëm, megjithëse, si rregull ato duhet të ishin terren më i përshtatshëm për këtë lloj folklori.

E pra, gjasat janë të plota, që duke kërkuar gjuhën para-babelike, njeriu shqiptar i kësaj Shqipërie, kërkonte tekstin e vet themelor, thurimën e vet identitare, librin e vet i cili nuk ishte i lidhur si një bibël a kitab, por gjendej i përhapur gjithandej në fragmente apokrife e mbishkrime varresh, ku po zbulohej një energji e re jetësore.

Këto gene, ose më mirë me thënë filo-gene, qenkëshin të shpërndarë nga Skotlanda në Iberik, e nga Egjipti në Kaukaz, e tutje deri në malet Tora-Bora. Pellazgologjia ishte (dhe është) një tapet fluturues fantastik.

Nëpërmjet kësaj odiseje ne kërkonim religjionin tonë, shqiptarinë, duke ia re-ligjuar të gjitha gjërat e mundshme shì këtij botëkuptimi, me thjeshtësinë e instinktit, si provë se deviza-parullë e P. Vasës qenkej thjesht konstatim.

Në ato tryeza me qofte e meze, u mishëruan tezat e filozofëve se jetojmë brenda gjuhës, e gjuhëzojmë jetën, se jemi përjetësisht kohorë e se fjala ishte e para.

Dhe pikërisht fjala shqip. Fjala shqip e dëlirur nga llafet. Se nëse italianët i kishin dhënë botës Danten, ne i kishim dhënë Iliadën e Odisenë (dhe do ua jepnim sa herë të donin, pasi nuk i deshëm kurrë për vete); se Aleksandri e Bonaparti i përdornin gjuhët e kulturës vetëm për formalitete, por kur shanin, shanin shqip, dhe ishin që të dy shqiptarë anipse nuk e dinin, por duke parë përmasat e veprës që lanë pas, kjo injorancë e vogël rezultuakësh më se e falshme.

Unë vetë zbulova se japonezët "dhëmbit" i thoshin "ha", se egjiptasit e sotëm e quanin veten "faraonë" (pra "fara jonë"), se etruskët natës së varrit i thoshin "hupnia" (ose "hupnin")... por ajo çka më kënaqi përfundimisht ishte përemri vetor i parë, të cilit latinët retorikisht i thoshin "ego" e ne, si shpellarë të vjetër i thoshim thjesht "Û" (a toska që e thotë pa hundak "u").

Dhe kjo "Û", mua më dukej e lidhur edhe me gjestin e shpellarit që i bie gjoksit me grushta, e te kjo "Û", ishin uni dhe esi, aty ndodheshin (pavarësisht se nuk e dinin) Freudi dhe Jungu dhe i mrekullueshmi Stephen J. Gould, por mbi të gjitha aty mblidheshin "ûja" (uria), "ûthi", "ushqimi", e më tej "ura" e "uzdaja" mbase edhe urithi.

Por shpejt u kuptua se ky pasion nuk çoi kurrkënd të lexonte më shumë shqip a ta donte shqipen më shumë.

Se në pyetjen "A û, a?" Homeri nuk këndonte por thjesht gërhiste. Nuk ishin gjuhët e kulturës që trokisnin tek shqipja, por shqipja që trokiste e trokiste me onomatopetë e saj të mnershme, me fjalët e saj që e djegin letrën ku shkruhen, e trokiste tek nëna e saj natyrë.

Pellazgologjia e tavolinave tona u riciklua disi. Trikoja që po bëhej u shprish edhe njëherë dhe u bë lëmsh. Ajo u krijua si një botë paralele diakronike, një botë që pret pagëzim prej ujit të shqipes.

E në fund fare, kur pellazgologjia rifillon, duket se ka mbetur diçka. Ka mbetur respekti për të gjitha variantet e fjalëve në gegnisht, si forma më të moçme e zanafillore, e përfundimisht më shqipe, bashkë me disa libra më shumë nëpër shtëpia, bashkë me mbresën e dehur se Europa na e vodhi ne piratëve gjuhën, para se të bëhej piratja e botës, e mbase dikujt i ka mbetur dhe ideja shumë religjioze, se gjuha, ka shumë metafizikë.

Pa harruar pra atë, sensin religjioz, ndjejmë se shqipja nuk është nëna e të gjitha gjuhëve, por e fundmja bijë që ruajti stolitë e shqisat e asaj gjuhës së parë, para-babelike prej nga burojmë të gjithë. Shqipja është shqisa jonë e gjashtë. Dhe është e vetmja gjuhë që me thellësinë e saj na lejon të masim pikërisht cektësinë tonë.

2 commenti:

Unknown ha detto...

E shikuemee e bukur. Te lumte! Me pase shikim, gjuhë e veshë nuk eshte njesoj si mos me i pase. Urime per shkrimet.

Unknown ha detto...

Në mesazh mê shumë vlerë njê shenim i shkelqyer metaforik, një antidot ndaj fenomenit pellazgomania...!

Diogjeni kishtendezur fenerit në pikê tê ditës..njerzit thonin; është çmendur Diogjeni, nuk e dininata se i gjori kêrkonte së paku një njeri, po, një mendje qê do ta kuptonte !
PËrgêzime matrapapupa, shumë suksese !