giovedì, aprile 14, 2011

Elozhi i së vërtetës

E vërteta (veritas) ka në të gjitha gjuhët etimologji interesante. Në latinisht mëtohet se vjen prej "vereor" (në shqipen e vjetër, pra në gegnisht: vroe, ose droe) që domethënë "me pasë frikë", "me drashtë". Por mund të rrjedhë edhe prej "verbum" në kuptimin e "fjalës së mishëruar", Krishtit.

Pra e vërteta në botën latine ishte ajo që jepej nëpërmjet mësimit të lajmit të mirë dhe të parabolës së Mesisë. Prej parabolë mandej, është vërtetuar se rrjedh edhe "parlare", pasi në fillim me folë ishte me rrëfye parabola, "parabolare". Kjo "veritas" ka karakter narrativ, çka na bën me mendue se identiteti në thelb është përsëritje e një narracioni.

Në gjuhët e vjetra gjermanike e siç vjen deri tek anglishtja e sotme, rrjedh prej trieëð : besnikëri e korrektësi, që në shqip është gjëja më e afërt me "besë". Dhe në fakt në gjuhën shqipe, në kohë pagane, e vërteta nuk ishte gjë tjetër përveçse "besa". Besa, që në mitin e Kostandinit, është një arsye për të jetuar, madje edhe pas vdekjes. Pra e vërteta që të kërkon edhe kur vdes bartësi i saj. Në serbisht "istina", lidhet me sanskritishten as (lat. est; shqip asht, është), që domethënë: me marrë frymë dhe me jetue.

Në greqishten e vjetër aletheia: zbulesë, edhe në kuptimin e shpalosjes. Heidegger e lidh me ekzistencën si hapje ndaj qenies; pra e vërteta jo si përshtatje por si zbulesë ose zbulim i entit që shpaloset duke dalë prej errnive zanafillore prej të cilave qe mbështjellë. Qëndrimin e Heideggerit me atë absolutizant të Hegelit, sipas të cilit e vërteta është ajo çka vetë-lëviz brenda vetes, mund ta ndërmjetësojë kumti i orakullit "njih vetveten".

"Njih vetveten" s'do të thotë që ti je e vërteta, por se atë pjesë që ti mund të kesh tek e vërteta, duhet ta kërkosh jo jashtë, por brenda vetes. Në të vërtetë, kur Ponc Pilati e pyeti Krishtin, se "ç'është e vërteta?", nuk donte ta dëgjonte përgjigjen. Pasi ishte pikërisht ai që i lau duart nga e vërteta.

Më shumë se filozofia që duke interpretuar na largon prej së vërtetës, është letërsia ajo që duke na bërë të besojmë gjëra irreale, na afron me frymën e së vërtetës, pasi na mëson të besojmë.
Qëndrimet e filozofëve të mëdhenj në lidhje me të vërtetën, janë të gjitha në funksion të sistemit të tyre. Prandaj Nietzsche ka thënë me ironi, se çdo filozofi është një autobiografi.

Gjënë më të shtrembër që kam lexuar në lidhje me të vërtetën e ka shkruar Jean Braudillard: Simulakrumi nuk është kurrë ajo çka e fsheh të vërtetën - është e vërteta që fsheh se nuk ka të tillë. Simulakrumi është e vërteta. Kjo është si të thuash që mohimi është pohimi.

Por ky nuk është problem i së vërtetës, thjesht tregon karakterin e epokës në të cilin jetojmë. E vërteta është pohuese (edhe vetë mohimi që është i vërtetë, pohon një të vërtetë, pra është pohim). E vërteta është pohuese pasi vetë qenia është pohuese. Hiçi nuk thotë jam.

Është fryma e keqe e epokës që meqë nuk ka në thelb diçka për të pohuar, mohon gjithçka, pra epoka është nihiliste.

Për sa u tha më lart, të gjithë mund të thonë, se asnjë prej etimologjive të së vërtetës nuk është e sigurt. Amà edhe këto shpjegime, janë pjesë e një miti, mbase mitit më të madh në historinë e arsyes: atij të së vërtetës. Miti (ose narracioni i shenjtë) i së vërtetës, është një mit klasik, pra nuk duhet ngatërruar me mitet moderne, ose postmoderne.

Nëse miti klasik bazohet tek e vërteta e besimit, miti modern bazohet tek gënjeshtra e mosbesimit. Duke e shpallur besimin si të rremë, miti modern i kundërvë kërkimit të së vërtetës (që është kërkim absolut), përgënjeshtrimin e një hollësie. Dhe përgënjeshtrimi e krijon gënjeshtrën.

Sot e vërteta ndahet dysh: e vërtetë e shkencës dhe e vërtetë e besimit. Por që të dyja kanë një paradigmë të vetme, që është kërkimi i së vërtetës, njohja e vetes. Ky kërkim mendohet se është i pafundëm, dhe rrok të gjitha breznitë e njerëzve dhe të gjithë hapësirën dhe kohën që jeta jonë arrin me rrokë.

Çka çuditërisht domethënë se vetja është e pafundme!?

E vërteta është aq e madhe, sa para asaj edhe universi duket i njëkahshëm, ose i njëanshëm, ose i pjesshëm.

Por shkencëtari që mat gjithmonë më të voglën, a nuk e ndjen edhe ai madhështinë që ndjen besimtari?

Në një libër fantastiko-shkencor që ende nuk është shkruar, protagonisti ia kushton jetën kërkimit të së vërtetës mbi një ngjarje të së kaluarës së tij. Në këtë mënyrë, pas disa përpjekjeve sinkronike, ai kupton se e vetmja mënyrë do ishte një udhëtim në vendin dhe në kohën e ngjarjes. Pra: makina e kohës.

Nga fundi i pleqërisë së tij e ka shpikur dhe perfeksionuar këtë mjet që lëviz në katër dimensione. Por ai nuk arrin ta gjejë të vërtetën edhe pasi kthehet mbrapa në kohë... Nëse kjo histori e ka një moral, ai mund të jetë: e vetmja e vërtetë e jetës është vetë jeta. Ose: e vërteta nuk është në një të kaluar kur ende nuk të shqetësonte problemi i saj, por është ky shqetësim që ke sot.

Duke menduar për përpjekjet dhe vuajtjet e çdo njeriu që njohim, mendimi i parë është se të gjitha kanë shkuar kot. Pasi kur të marrë fund gjithçka tragjedinë e njerëzimit nuk do ketë kush ta lexojë. A ndoshta: shpëton e gjitha!? Çdo gjë është e shkruar me dritë të pashuar. Mbase njeriu që kthehet mbrapa në kohë, nuk gjen të vërtetën, por gjen të gjallët. Gjen të gjallët e tij, atë që tash nuk ka. Ky takim është e vërteta. E vërteta përtej çdo interpretimi.

"E vërteta ka një fytyrë të tmerrshme..." ka shkruar Hannah Arendt duke lexuar Kafkan. Në shqipen e vjetër do thoshim: e vërteta ka një fytyrë të mnershme. A thua çdo jetë e jona do digjet për t'i dhënë dritën e vet një gjëje që ne nuk kemi për ta parë?

Miliarda jetë që kaluan në këtë planet, miliarda yje që u dogjën e u shuan në këtë univers, e dhanë dritë, mbase për të ndriçuar një çast: çastin e fundit kur gjithçka do ketë emrin e saj të vërtetë, e mbase ne do shohim dhe do dëgjojmë; ne bartësit e përkohshëm të atij zjarri, ne përçuesit e asaj drite, mbase do dëshmojmë për veten dhe do lindim në amshim.

Dhe atëherë e gjithë shkenca jonë do jetë një libër fantastiko-shkencor, drejtësia jonë do jetë pema më e shtrembër në kopshtin e Edenit, vdekja një zgjim.
E vërteta është fytyra e Zotit.

Nessun commento: