Te mozaiku që mbulon Muzeun Kombëtar, femra shqiptare paraqitet si  figurë qwndrore në formatin epik, të preferuarin e "mesjetarizmit"  komunist. E ngjeshur në kostumin kombëtar dhe me pushkë në dorë, ajo  nusëron në një skenë lufte.   
Gjiri i saj është i bollshëm, i frytshëm. Krahu i saj i fuqishëm,  bujqësor. Më shumë se prej murales të Diego Riveiras, ajo ka prej  pikturës Liria që iu prin popujve të piktorit më të madh romantik E.  Delacroix. 
Kjo murale mund të jetë një alegori e "Shqipërisë së re", por ne nuk  duam ta shohim si të tillë. Madje nuk duam ta interpretojmë fare. A  është imazh propagande apo dëshmi e ditëve të veta? Sigurisht që është  të dyja njëherësh. 
Na shërben si një pikë e parë krahasimi me femrën e sotme shqiptare, që  duke u përqendruar në masë bash në kryeqytet, ka krijuar një tipologji  të mëvetshme femërore: tipin femëror në Tiranë. 
Ky tip femre ka filluar të shfaqet në Tiranë qysh në vitet '70,  pavarësisht se në artin zyrtar ende përshfaqej e mashkullorizuar, si në  muralen e Muzeut. 
Atëbotë, falë një shtrysjeje të regjimit, për herë të parë arriti ta  shfaqë haptazi e deri diku masivisht përkatësinë e saj europiane. Duke i  vjedhur punën meshkujve, femrat arritën pak nga pak t'iu vjedhin edhe  disa mundësi. Por në vitet e rrënimit ekonomik (vitet '80), për shkak të  privimeve të panumërta, femra në Tiranë e humbi një pjesë të lirisë dhe  të vitalitetit të saj.    
Me ardhjen e demokracisë fillon njëmend krijimi i kësaj tipologjie  njerëzore, e cila për shkak të lirisë më të madhe që gëzonte sidomos në  Tiranë, erdhi duke u emancipuar, rafinuar e sofistikuar pikërisht aty.  Diversiteti dhe prejardhja e gjithandejshme, i ndihu më shumë  identitetit gjithshqiptar të kësaj tipologjie, duke e bërë këtë  tipologjinë më përfaqësuese të femrës sonë. 
Sot që Tirana është bërë kolektori i gjysmës së rinisë aktive në  Shqipëri, kjo më duket ndër të paktat risi të denja për tu dokumentuar. 
Me gjithë mangësitë e pashmangshme, ky tip femëror është emancipuar në  mënyrën më normale, duke lëvizur me kujdes në një realitet patriarkal  dhe me mendësi militante e post-militariste. Femrat janë emancipuar gati  vetiu, natyrshëm, pa ngërç, duke treguar një alkimi shumë të mirë në  përshtatjen dhe në krijimin e kushteve të reja të shoqërizimit. Kësodore  ato e kanë lënë shumë mbrapa mashkullin shqiptar. 
Kontributi i elitës në lulëzimin e kësaj pjese të kopshtit  antropologjik, duket minimal. Ajo elitë që gjatë 45 vjetëve fabrikoi  "serën" (ushqimi dhe drita nën kontroll), pas shpërthimit të saj, u bë  vetë pjesa më e helmët dhe më tentakulare e "xhunglës" së tranzicionit.  Nëse mendojmë pra, se po krijojmë një kopsht të ri antropologjik me  frymëzim europian, duhet të investojmë pikërisht tek kjo pjesë që ngjan  si pjesa më e frytshme e kopshtit aktual: tek femra shqiptare. 
Ky investim don me thanë edhe pjesëmarrja e saj aktive në politikë, në  politikën e vërtetë amà: në vendimmarrje, e jo thjesht në zëdhënësinë e  politikës, apo në folitikë. 
Liria ka funksionuar më shumë te femrat, pasi ato qenë më të kujdesshme  dhe më të durueshme. Mjafton t'i lësh të qeta dhe ato ia dalin. Falë  epshmërisë së tyre të paepur, janë të parat që ndërtojnë një modus  vivendi, duke u bërë vetë, motori më i fuqishëm i jetës së përditshme.  Punojnë më shumë, ëndërrojnë më shumë, duan më shumë.
Si pjesa më pak e shtrembëruar psikologjikisht, pjesa më jetësore dhe më  elitare njëherësh, kjo femër, ka meritën e pazëvendësueshme se është  katalizatori i vetëm social në një shoqëri ku gjithçka është tranzicion,  kushtëzim, rravgim.   
Duke parë fotot e njëzetvjeçareve të viteve të diktaturës, vihet re se  janë më europiane se brezi para tyre, por vetëm në numër e jo në cilësi.  Për të kaluar nga doku tek mëndafshi, nga livandoja tek piklat e  parfumit, nga zbori tek hapi i lehtë, nga sapuni tek makiazhi i  kalibruar, nga muzika popullore tek ajo jazz dhe nga kooperativistja me  fund e pantallona tek figura e përsosur që tymos e qetë në këmbë tek  stacioni i unazës, vitet '90 kanë qenë themelore. 
Shpresa e fillimit të atyre viteve i dha energjinë, dinamizmi i  periudhës së kioskave ia ndryshoi ritmin si dita me natën, dhe periudha e  sotme, kur Tirana bëhet kryeqendër e një vendi në zhvillim dhe fillon  të zërë vend konkurrenca e lirë, e bën përfundimisht tip.
Liria funksionoi më parë te femrat, pasi femrat kishin kulturë lirie.  Edhe zbukurimi i vetes është kulturë. Leximi në shkollë. Përqendrimi tek  e tashmja dhe e ardhmja. Edukata në familje i mbeti vajzave, për djemtë  konsiderohej turp të mos ishe "i fortë". Investimi tek vetja dhe tek  familja është filozofia e kësaj tipologjie femërore.
Bukuria dhe ngrohtësia që ajo sjell në jetën e Tiranës është e vetmja  pasuri natyrore që na ka mbetur e pacenuar. E vetmja prurje  antropologjike. I vetmi faktor që e estetizon jetën e përditshme. Por as  300 ditët me diell në vit, as mosha e re e popullsisë, as burimet e  panumërta, klima, geni, energjia psiqike, nuk mjaftojnë të gjitha së  bashku për ta shpjeguar një lulëzim të kësaj përmase. Kjo nuk është një  dukuri që rroket nga teoria, prandaj i përngjet më shumë një mrekullie.   
Nga ana tjetër duket sikur i gjendet një finish. Më duket sikur kjo  tipologji do rrallohet e do pësojë metamorfozë brenda në harkun e një  dekade, kur, me hyrjen në Europë të ezaurohet dora-dorës edhe rritja  ekonomike. Pikërisht kur të fillojë gara e vërtetë për pasuri më të  madhe; ngarendja për të bërë sa më shumë orë ekstra në zyra; kur  gjithçka të bëhet punë dhe konsum. Kur të jetë koha e vajzave bija të  vetme dhe e shkatërrimit të familjes klasike... 
Deri atëherë kënaqemi duke dëshmuar lulëzimin e saj. 
Ia vlen të përmendet po ashtu, se kjo tipologji ruan në poret e saj, në  premjen antropologjike, një dimension të gjallë të lojës. Atë  dimensionin vertikal dhe prapë të shtruar, të cilin fëmijëve të sotëm po  ua fshijnë ndër duar me komercializimin global të jetës që e zhduk  lojën duke të shitur përfundimisht lodrën. 
Tash që anija jonë pirate, ku rrallë pranoheshin gratë në bord (duhet të  rrinin të prangosura nën kuvertë a thjeshtë të shërbenin), i afrohet  portit, femra shqiptare e pikësëpari ajo në Tiranë, fillon t'i gëzojë  qysh në bord të mirat e jetës në stere.  
E mbërritur deri këtu, kjo tipologji femërore është tashmë e  krahasueshme me tipin e femrës romane, por edhe me tipin e parizienes,  tipa që shkëlqyen në vitet '60, pavarësisht se në artin e dehumanizuar  të sodit nuk është përfaqësuar sa dhe si ato.  
Tipologjia e re femërore që është krijuar në Tiranë është estetikisht  baudelaire-jane pasi është e vetmja "që ka aftësinë me i përthithë të  gjitha helmet e jetës moderne dhe me i transformue në parfume".
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Etichette
21 ARSYE
(1)
Aforizma
(1)
Aleanca per mbrojtjen e tearit
(1)
Artikull
(22)
Astrit Cani
(2)
BIZANT
(2)
Borges
(1)
CAMAJ
(1)
Cioran
(2)
COPYLEFT
(1)
COSTUME
(1)
DEBAT
(11)
DEBORD
(2)
Demokracia
(1)
Diario albanese
(1)
DODONA
(1)
Don Kishot
(4)
Drini
(1)
Elozh
(11)
Email
(1)
ENCIKLOPEDI
(1)
ENGLETISJE
(1)
EPISTOLA
(1)
EROTIKA
(1)
ESEISTIKE
(14)
Eulog
(1)
EVOLA
(1)
Facebook
(1)
Fante
(1)
FILOZOFIA
(6)
FOTO
(4)
GAID MARGOT
(2)
GEGNISHTJA
(3)
GRIMCA;
(1)
GUESTS
(1)
HUMOR
(4)
HUMOR I ZI
(4)
INTERVENTO
(1)
INTERVISTE
(2)
ITALIANO
(11)
KAFKA
(1)
KINA
(1)
Kinema
(1)
KOSOVA
(2)
KRIJIMTARI
(2)
KRITIKA
(7)
KRYEVEPRA
(5)
Kundera
(3)
KURIOZITET
(1)
LEKSION
(1)
letersi amerikane
(3)
Letersi angleze
(2)
Letersi franceze
(2)
Letersi irlandeze
(2)
Letersi shqipe
(4)
Letersia ruse
(1)
Letteratura albanese
(1)
LIBRAT E MI
(1)
LIBRI
(3)
LOVE BOOK
(1)
MAPO
(4)
McCarthy
(1)
Memento
(1)
Metafizika
(2)
Moikom Zeqo
(1)
parathanie
(2)
PERKTHIM
(16)
Perkthime te lira
(2)
PERLA
(9)
PESSOA
(2)
Petro Zheji
(1)
POESIA
(1)
POESIA ALBANESE
(5)
POESIA ITALIANA
(3)
POEZI
(13)
Polemika
(3)
POLEMIKE
(5)
Politikisht korrektja
(2)
PROKLAME
(1)
PROUDHON
(1)
PROZE
(2)
PRUDHON
(1)
PUBBLICISTICA
(2)
PUBLICISTIKE
(7)
Quarta di copertina
(1)
RACCONTO
(3)
RELIGJION
(1)
Rendi i ri botnor
(1)
REVISTA
(5)
Rusia
(1)
SAGGIO
(1)
SCACCHI
(1)
SHQIP
(34)
SHQIPJA
(2)
STAMPA
(1)
Stephen King
(1)
Syzim
(1)
TEATRI
(2)
Teatri kombtar
(1)
TEST
(1)
TIRANA
(2)
TREGIM
(2)
TREGIMET
(5)
VETEPERKTHIM
(2)
Nessun commento:
Posta un commento