Distanca fizike në shoqëritë aristokrate mund të paraqitet me një  skenë. Një tavolinë e stërgjatë në një sallë të madhe. Në njërin cep,  Lartmadhëria e tij, mbreti, në tjetrin, Fort'hijeshia e saj,  mbretëresha.  
Mes tyre njëzet metra brilancë. Shërbyesit, aviten me rend, për të  sjellë pjatancën e radhës. Por iu duhet pak kohë për t'u afruar, pasi  zakonisht rrinë pranë murit, dhe teksa salla është shumë e madhe,  tavolina është në qendër të saj. Si me thënë, distanca ndihmon tretjen.  Por po ashtu, ndihmon edhe ruajtjen e ndonjë sekreti mbretëror. 
Edhe pse larg, mbreti, është kopsitur deri në mjekër, mbase me qëllimin  për të fshehur kafshimin e ndonjë konkubine ende të paliçensuar nga e  shoqja. Mos u afruam shumë?
Tani, këtij imazhi, mjafton t'i kundërvëmë imazhin e një pikture rinore të Van Goghut: Ngrënësit e patateve. 
Në një odë të ngushtë, një dritë e ftohtë e një llambe me vajguri që  varet nga tavani i ulët, ndriçon disa fytyra që duken si vetë patatet që  njerëzit po hanë. Pra të mjerët, nuk kanë distancë jo vetëm nga  njëri-tjetri, por as nga ushqimi i tyre.
Jemi në kulmin e monarkizmit. Në Opera, aristokratët kanë lozhat më të  larta dhe më të veçuarat. Megjithatë ka plasur voyeurisme.
Por sa më shumë rritet pasuria në duart e monarkëve, aq më shumë  distanca e pushtetit nga njerëzorja bëhet irreale. Kështu, kur i thonë  Maria Antuanetës: populli s'ka bukë, ajo përgjigjet: po le të hanë  brioches. Në tavolinat mbretërore, buka është një ornament. Por të  mjerët dënohen po të kapen duke vjedhur bukë. 
Diçka nuk shkon qysh në themel dhe ja mbërrin revolucioni. Frika është  se mos terrori i tij ka për t'i çuar gjërat edhe më mbrapa. Revolucioni  vjen për t'i kthyer njerëzoren njerëzores. Pastaj thonë se e kanë  sponsorizuar Rothschildët. Por kjo është anekdotë. Qe sponsorizim i  njerëzores.
Njeriu i kulturuar është ai që merr distancë, në radhë të parë, nga  rrethi i vet. Në rrëfenjat e urta arabe, kalifi vishet teptil për t'u  përzier me popullin dhe për të parë e dëgjuar si jetojnë të thjeshtët.
Në kohën tonë, kur planeti banohet nga 6,8 miliardë njerëz, dhe përditë  dalin në skenë shtete të reja që po industrializohen, eliminimi i  distancave është arritja dhe njëherësh problemi më i madh.
Rritja e jetëgjatësisë përkon me prishjen e ekuilibrave ekologjikë. Në  SHBA fqinji hedh në gjyq fqinjin për gardhin (pra i drejtohet avokatit  me të pame); një prej dënimeve është edhe detyrimi për të mbajtur  distancën prej personit fitues të gjyqit. 
Alaska, vend me klimë të ashpër dhe me dit-net boreale, mbushet me  qendra të mbipopulluara për shkak të naftës që ka. Në hiper-fuqinë  tjetër, Kinë, ligji gjobit prindërit që lindin fëmijën e dytë.
Bota spektakolare në të sajën, eliminon çdo distancë - mjetet e  komunikimit e bëjnë vdekjen një spektakël të përditshëm. Por jeta e  vërtetë ka sot vështirësi të mëdha në komunikimin e vetvetes. Për shkak  të afërsisë fizike, njerëzit në mungesë të distancës, krijojnë  promiskuitet, marrëdhënie pa baza. Marrëdhëniet e vërteta njerëzore janë  vështirësuar më shumë se kurrë pikërisht për shkak të mungesës së  distancës.
Distanca e mirëfilltë, ajo që lejon rritjen, është gjeniune dhe e  natyrshme. Malësori që e hedh shikimin larg porsa del në oborr në pikë  të mëngjesit, nuk do ketë problemet me shikimin që ka teleshikuesi  urban, që posa hap sytë, ndez TV-në një metër "larg" ndërsa e ka zënë  gjumi me lap-topin te koka dhe me kufjet në vesh. Kush sheh natyrën ka  gjithmonë shikim të virgjër e nuk ka nevojë për okulist.
Alpini "kullot sytë" në dimensionin vertikal, bjerraditësi qytetas  mbjell lakra në facebook dhe shumicën e ditës i mungon njëri dimension.  Distanca edukon. 
Prandaj duke likuiduar fshatin kemi likuiduar distancën, pra edhe vetë  qytetin. Në fshat, ardhja e vizitorëve nga qyteti, ishte drejtpërdrejti  festë. Mikpritja kishte mbërritur kulme religjioze pasi njeriu ishte gjë  e rrallë. 
Jeta në distancë krijoi institucionin e mikpritjes. Fermeri që e  braktisi tokën i ngjan ariut që nga peshkimi i troftave me xigla ndër  zaje, kalon në ari dasmash që pret çfarë po i hedhin në dajre.
Ruajta e distancës është edhe ruajtja e ekuilibrit.
Edhe për krijimin e ekuilibrave të reja politike, duhet distanca  politike. Ataturku, duke krijuar Turqinë e re, e hoqi kryeqytetin prej  Stambolli dhe e çoi në Ankara.
Distanca lejon leximin ndryshe. Falë distancimit, hieroglifet lexohen si  shenja të një gjuhe, dhe jo thjesht shihen si zogj, silueta njerëzish  apo shenja gjeometrike.
Në shoqëritë e qytetëruara distanca dhe krijuesit e saj respektohen.  Shkëputja e disa elementeve aktive të një shoqërie, shërben për të  çmagnetizuar pjesët e ndryshkura. Në shoqëritë jo të shëndosha, ata që  distancohen kanë vlerë edhe më të madhe. 
Të mendojmë për Trebeshinën, fjala vjen. Distancimi i tij, i djeshëm dhe  i sotëm, na mëson se sa shumë vlerë ka letërsia dhe sesi kjo vlerë nuk  mund të përzihet me vlerat e tjera më të kuotuara në bursën  spektakolare.
Risia, arritja, kryevepra në art, është ajo vepër që tregon distancë dhe  na distancon nga veprat e përparshme dhe bashkëkohëset e saj të  njëhershme. Arti është një veprimtari që ka shumë efekte distancuese. 
Kur Lenini pat rrëfyer se po të vazhdonte të dëgjonte Simfoninë e Nëntë  të Beethovenit, nuk do e kryente dot revolucionin, pati treguar diçka  nga thelbi i të ndjerit estetik. Arti të distancon nga politika. Arti më  sublim, krijon distancën më sublime nga çdo lloj trupi social, nga çdo  lloj të ndjeri bashkë me turmën, edhe në qofsh populisti më i regjur.
Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u dënuan si disidentë, jo pasi kritikonin  mbajtësit e pushtetit me poezinë e tyre, por pasi me estetizmin e  sinqertë të kësaj poezie, ata shfaqnin një distancë të patolerueshme në  sytë e pushtetit. Distancën prej botës ideologjike të krijuar me forcë,  dhe afërsinë me natyrën, me frymën e saj, me lulet, pemët e stinët.  Distancë të cilën e gjejmë të kurorëzuar tek poezia e Frederik  Rreshpjes.
Dhe kështu, kemi mbërritur tek distanca më e rëndësishme: distanca  estetike. Ajo falë të cilës ndihemi ndryshe, më mirë ose më keq, por  ndryshe. Përgjithësisht kjo është distanca që sot mungon më shumë, si  thotë Lacan, me ardhjen e mediave pamore hapësira ka imploduar  (shpërthyer së brendshmi).
Shekulli XX u mundua ta tejkalonte njeriun, por shkaktoi aq plagë sa për t'i kuruar, përfunduam në anestezinë më të thellë.
Estetika që do të vijë pas kësaj anestezie, do ketë të bëjë me zbulimin e  distancave të reja, në radhë të parë distancat e reja kozmike. 
Fakti se ende presim disqet fluturuese të na vijnë apo gënjejmë se na  kanë ardhur, do të thotë se nuk jemi ende gati për distancim. Kur të  kthehen distancat e reja do kemi shansin ta përjetojmë ndryshe kohën që  kalon, pra si një udhëtim, e botën si diçka e mbushur me jetë (qoftë kjo  një botë pa atmosferë si hëna) e jo thjesht me imazhe.
Atëherë njerëzimi, i bërë një komb i vetëm, do të ketë një epos të madh.